
Shumë prej nesh e gjejnë veten në vështirësi kur është fjala për të shkruar diçka me dorë. Kjo sepse teknologjia e përdorur masivisht vitet e fundit duket se po e mbyt me kalimin e kohës shkrimin e dorës. Megjithatë, të shkruash me dorë rrit efektivitetin e kujtesës dhe përqendrimin, ndihmon të organizojmë mendimet tona dhe stimulon sintezën.
Në Itali, Instituti Grafologjik Ndërkombëtar Girolamo Moretti di Urbino ka lançuar Fushatën për të Drejtën për të Shkruar me Dorë, një përpjekje për të sensibilizuar opinionin publik mbi rëndësinë e shkrimit me dorë dhe ruajtjen e tij. Objektivi i kësaj fushate është që shkrimi i dorës të njihet nga UNESCO si trashëgimi e njerëzimit. “Askush nuk ka të drejtë t’i privojë brezat e ardhshëm nga kjo pasuri. Kemi detyrën dhe përgjegjësinë për të ruajtur ekzistencën e tij”, thuhet në motivimin e iniciativës.
Edhe studiuesit e Universitetit të Pavias, në simpoziumin e fundit shkencor, kanë theksuar rëndësinë e shkrimit me dorë. “Të mbash shënime me stilolaps gjatë një leskioni, ndihmon të kuptosh më mirë atë që po shpjegohet. Me fjalë të tjera, shkrimi me dorë është hapi i parë drejt të nxënit, shumë më efektiv se transkriptimi mekanik i fjalëve të profesorit, edhe pse më shpejt, përmes tastierës së kompjuterit”, thanë studiuesit.
Kjo ka edhe një shpjegim teknik. Sipas studiuesve, në rastin e shkrimit me dorë, shikimi përqendrohet te dora që udhëheq lapsin mbi letër. Pra ka një konvergjencë mes dorës dhe syrit, çka mungon në rastin e shkrimit në kompjuter.



