
Me një ceremoni solemne, ka nisur sot punimet ndërtimi i maternitetit të ri të Tiranës “Mbretëresha Geraldinë”.
Në ceremoninë e vënies së gurit të themelit, ishin të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Kjo e fundit specifikoi se ndërtimi i maternitetit të ri “Mbretëresha Geraldinë” do të zhvillohet në tre faza dhe do të zgjasë për tre vite. Materniteti i ri me standarde europiane, do të ketë risi edhe qendrën për foshnjet prematurat.
“Me këtë ndërtim të ri do të rrisim kapacitete spitalore, numri i shtretërve do të shkojë në 360 dhe atë në terapinë intensive do të dyfishohet. Do t’i shërbehet me shumë se 20 mijë pacientëve në vit. Nga 6 salla lindjesh shkojmë në 10 salla lindjesh të standardeve europiane. Qendra e prematuritetit është risia, kjo qendër unike do të rrisë cilësinë e shërbimit, në projektin për rikonstruksionin dhe zgjerimin do të ndërhyhet në 3 pale, ndërtimi i ri që do të jetë me 3 kate dhe një nëntokë ku është laboratori, rikonstruksioni i plotë i maternitetet dhe do të ruhen detajet e arkitekturës teknike në fasadën e saj dhe hapësirën e brendshme të saj dhe do të zgjerohet gjinekologjia. Do të përfundojë në 3 vite, dhe do të kthehet në një kantier të madh”, tha Manastirliu.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama, tha se me nisjen e punimeve në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, sot shëndetësia është në pararojë të të gjithë procesit të transformimit dhe synimi për të realizuar autonominë spitalore për të rritur kapacitetin në të gjitha aspektet është në një proces të avancuar.
“Projekti i ri i maternitetit i cili ishte në proces për shkak të pandemisë dhe tërmetit u përshpejtua ashtu si në të gjithë territoret ku tërmeti krijoi një krizë për shërbimet dhe komuniteti. Kriza u shfrytëzua për të dalë shumë më të fortë.
Sot ne jemi në kantier për të dyfishuar kapacitetin e shtretërve dhe për t’i ardhur në ndihmë trupës së shërbim me standarde dhe kushte cilësore. Ky maternitet do të ketë jo vetëm rritje të kapaciteteve në trefish, por edhe një qendër prematuriteti për herë të parë në Shqipëri si një risi për të posalindurit. Ky projekt dhe të gjitha projejtet e tjera në sektorin e shëndetësisë ecin paralelisht për të ndërtuar sistemin deri në transformimin e tij të plotë”, tha Rama.

Në fjalën e saj drejtoresha e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dr. Eliona Demalia tha se do të dyfishohen kapacitetet për pacientët, si dhe do përmirësohen sallat e lindjes dhe kushtet në tërësi.
“Është privilegj, nder dhe përgjegjësi për mua të drejtoj Maternitetin Mbretëresha Geraldinë në një moment vendimtar, ditën e shndërrimit të tij. Ne jemi këtu sot për të vendosur gurin e themelit të ndërtimit të rikonstruksionit të godinës së një prej spitaleve më monumentale në vend. Ndërtimi i ri do dyfishoj kapacitetet për pacientët, do përmirësoj kushtet e punës për mjekët, do të shtoj sallat e operacionit, kushtet hoteliere, sallat e lindjes, do të sjellë risi në sallat e reanimacionit neonatal, qendrat e prematuritetit, duke pasur dy objektiva, gruan dhe fëmijën. Gjatë vitit 2020 në këtë spital kanë ardhur në jetë 6302 fëmijë, ne do të presim në këtë spital të rilindur mijëra fëmijë të tjerë. Mijëra nëna që do të na urojnë për këtë shtëpi dinjitoze”, tha ajo.
Me projektin për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” do të ndërhyhet në tre plane: Ndërtimi i ri me 3 kate dhe një kat nëntokësor; Rikonstruksioni i plotë i godinës historike që do ruajë detajet e arkitekturës unike të stilit Litoral në fasadën e saj por dhe në hapësirat e brendshme të kësaj godine; Zgjerimi i objektit ekzistues të Obsetrikës. Do të jetë një kantier i madh prej mbi 6 mijë metër katror, ku pjesën kryesore e zë godina e re, që përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obsetrikës dhe Gjinekologjisë.



