Pas mungesës së një marrëveshjeje në takimin e zhvilluar të martën në Ministrinë e Ekonomisë, minatorët e minierës së bakrit në Spaç të Mirditës kanë vijuar protestën e tyre edhe këtë të mërkurë.
Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe reshjeve të dendura të shiut, ata janë mbledhur që në orët e para të mëngjesit në hyrje të kompanisë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.
Kjo shënon ditën e 14-të të bojkotit të punës nga ana e minatorëve, të cilët deklarojnë se nuk do të tërhiqen pa u plotësuar kërkesat që lidhen me përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave dhe njohjen e sindikatës së krijuar prej tyre.
Në takimin e zhvilluar mes palëve kërkesa ishte rikthimi në punë i 17 minatorëve të larguar në mënyrë të padrejtë nga puna.



