Shqipëria garanton liritë fetare por ligji nuk përcakton qartë mbështetjen finaciare të qeverisë ndaj religjoneve, teksa këto të fundit kanë probleme për statusin e pronave që pretendojnë.
Ky është konkluzioni i raportit të Departamentit Amerikan të shtetit për liritë fetare në vitin 2019, pothuaj i njëjti me ato të viteve të mëparshme.
Institucionet fetare thonë se mbështetja financiare nga qeveria është 109 milion lek, afërisht 1.2 milion dollarë, njësoj që nga viti 2015.
Për më tej raporti nënvizon se Komuniteti Mysliman ka shprehur ankesa se qeveria në disa raste nuk i njeh diplomat e lëshuara nga institucionet e saj për teologji dhe studime fetare.
Ndërsa Këshilli i Ministrave, nuk i ka miratuar aktet nënligjore që do të mbështesnin zbatimin e një ligji të vitit 2017 mbi të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare, duke përfshirë lirinë fetare.
Sa i përket Kosovës, raporti nënvizon se kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe siguron lirinë e besimit, por tërheq vërejtjen se ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridik, duke krijuar pengesa për ta në kryerjen e punëve të tyre. Parlamenti nuk shqyrtoi një projektligj që do t'i lejonte grupet fetare të regjistroheshin si persona juridik.
Ndërkohë, lidhur me Turqinë raporti i DASH vëren se zyrtarë të lartë amerikane vijojnë të shprehin publikisht mendimin e tyre se Shën Sofia një monument me rëndësi të veçantë duhet të mbetet institucion kishtar dhe të mos kthehet në xhami duke respektuar multikulturalizimin dhe historinë.



