Shqipëria do të shënojë një kapitull të ri në historinë e saj diplomatike dhe shkencore, pasi vendi ynë do të nënshkruajë zyrtarisht Marrëveshjet Artemis në selinë e NASA-s në Uashington.
Përmes këtij hapi, Shqipëria bëhet vendi i 73-të në botë që i bashkohet kësaj nisme të rëndësishme ndërkombëtare. Nisma globale, e cila udhëhiqet nga NASA dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, përcakton një sërë parimesh praktike që synojnë të rrisin sigurinë, transparencën dhe koordinimin e eksplorimit civil të hapësirës në Hënë, Mars dhe më gjerë.
Ceremonia e nënshkrimit do të drejtohet nga zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, në prani të zyrtarëve të lartë amerikanë. Për të firmosur këtë dokument historik, në seli do të jenë të pranishëm Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, si dhe Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati.



