
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Arben Kingji u gradua si gjenerallejtënant, pas dekretit të miratuar nga presidenti i Republikës.
Kjo gradë, gjenerallejtënant Kingjit iu dorëzua nga ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu.
Në fjalën e tij, ministri Vengu vlerësoi gjenerallejtënant Kingjin, si një gjeneral që është ngritur në karrierë duke kaluar të gjitha etapat e nderit dhe duke shërbyer me sukses në shumë detyra të ngarkuara.
Sipas ministrit Vengu, ky është edhe një moment i veçantë pasi ylli i tretë në Forcat e Armatosura është rikthyer pas gati një dekade e gjysmë.
Ministri i Mbrojtjes tha se gjenerallejtënant Kingji e ka merituar këtë yll të tretë.
Dikush mund ta ketë ndjekur karrierën e tij që në kohën e Afganistanit, dikush që në kohën që ka drejtuar regjimentin në Poshnje, që kur ka drejtuar Forcën Tokësore, apo kur ka mbajtur pozicione të tjera përfaqësimi në funksion të FA.
Unë në këto pak muaj kam njohur një person që, së pari ka forcën e karakterit si udhërrëfyes në mbrojtje të interesave kombëtare, në mbrojtje të të gjithë interesave të ushtarakëve, të familjarëve të tyre dhe të përmirësimit të gjithanshëm dhe të modernizimit të FA.
Teksa i uroi suksese në vijim të ushtrimit të detyrave, ministri Vengu u shpreh se, gradimi i gjenerallejtënant Kingjit përbën edhe motivim për të gjithë ushtarakët e tjerë të karrierës, të cilët mund të arrijnë përmes dedikimit, disiplinës dhe vetëmohimit në majën e karriererës ushtarake.
Nga ana e tij, gjenerallejtënant Arben Kingji shprehu mirënjohjen për vlerësimin e bërë.



