Italia ka rikthyer debatin nëse duhet apo jo të largohet nga Bashkimi Europian.
Ideja vjen pas një referendumi të nisur nga Vittorio Sgarbi i mbështetur edhe nga Komuna e Veronës dhe Gianluigi Paragone.
Në vazhdën e asaj që ndodhi në Britanin e Madhe, mendohet se në të ardhmen, mund të pritet edhe një dalje e Italisë nga Eurozona dhe Bashkimi Europian.
Kjo çështje ka nisur në qershor të 2018-ës, atëherë kur qeveria e formuar nga dy partitë, Lega dhe Lëvizja 5 Yje, shprehen skepticizmin e tyre për eurozonën.
Pavarësisht se u kuptua shumë shpejt se këto dy parti s’do të kishin ndërmend të bënin asnjë lëvizje për largimin nga Europa.
Tani,Vittorio Sgarbi dhe Gianluigi Paragone kanë kthyer sërish temën delikate.
Në fakt, Sgarbi po mbledh firma për nisjen e një referendumi me qëllim daljen e Italisë nga Eurozona.
Ndërkohë Paragone pas largimit nga partia e tij, kërkon t’i japë jetë një tjetër partie, duke e quajtur Italexit.
Dalja e Italisë nga Bashkimi Europian
Marrëdhëniet mes italianëve dhe Europës nuk kanë qenë kurrë idilike, por rezultatet e një studimi të realizuar nga instituti SWG treguan se në Itali vetëm 27% e qytetarëve besojnë në Bashkimin Europian.
Një shifër në rënie në krahasim me të njëjtin studim të realizuar në prill 2019, kur përqindja ishte 42%. Gjithashtu në kulmin e tensioneve në Bruksel, veçanërisht për mënyrën se si mund të financohen shtetet e goditura ekonomikisht për shak të pandemisë, euroskepticizmi po vazhdon të rritet.
Referendumi i Sgarbit
Vittorio Sgarbi ka nisur një lëvizje të re, të cilën e ka emërtuar “Italia e Lirë, ku me datë 27 maj paraqiti një projektligj të nismës së tij për në Gjykatën e Kasacionit.
"Kërkesë për një referendum për tërheqjen e shtetit nga Bashkimi Europian", e ka titulluar Sgarbi.
Tani atij do t’i nevojiten 500 mijë firma për të realizuar referendumin. Bashkia e Veronës i është bashkuar kësaj nisme.
Kushtetuta Italiane nuk lejon të mbahen referendume për traktatet ndërkombëtare, megjithatë të gjitha këto nisma tregojnë se si shumë mbështetës të Italexit, po mundohen të vetëorganizohen, pasi Lega dhe 5 Yjet e braktisën një ide të tillë./ Money



