Ndërsa provimet e maturës për maturantët e gjimnazit kanë përfunduar, një tjetër shqetësim për nxënësit është se si do të bëhet llogaritja e pikëve nga fakultetet për të caktuar kuotat e pranimit.
Rezana Vrapi, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Provimit në një intervistë për TemA TV ka sqaruar se me ligjin e ri të arsimit të lartë metodat e përllogaritjes së pikëve dhe kuotat do të caktohen nga vetë universitetet. Vrapi tha se çdo nxënës duhet të interesohet pranë fakulteteve për të marrë informacionin e plotë. Ajo ka sqaruar një metodë se si mund të bëhet llogaritja e pikëve ku peshën më të madhe do ta ketë mesatarja e përgjithshme e tre viteve. Një rëndësi të veçantë do të kenë edhe lëndët që kanë lidhje me degët e përzgjedhura. Ndërsa nxënësit të cilët kanë mesatare nën 6 nuk do kenë mundësi të aplikojnë.
Një tjetër risi që sjell ligji i ri për arsimin e lartë është fakti se nuk do të ketë më hierarki të përzgjedhjeve të fakulteteve. Pra nëse një student aplikon për 10 degë dhe i fiton të 10-ta, atëherë ai mund të zgjedhë një nga të dhjetat. Por ashtu siç e parashikon ligji mund të ndjekin vetëm një fakultet. Ndryshe nga sistemi i mëparshëm i cili në bazë të renditjes së bërë përcaktonte fakultetin ku do të ndjekje studimet e larta.



