
Dy prej godinave të projektit Durrës Marina kanë pësuar zhytje vetëm pak muaj pas ndërtimit. Kjo është konstatuar nga një grup i posaçëm inspektimi i ngritur nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT.
Ekipi, në përbërje të të cilit ishin specialistë nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, inspektorë vendorë dhe specialistë të Instituti i Ndërtimit, arriti në konkluzionin se një nga objektet ka pësuar ulje deri në 28 centimetra, ndërsa një tjetër rreth 18 centimetra, në faza të ndryshme ndërtimi.
IKMT ka njoftuar se i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar realizimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve përforcuese teknike, të cilat duhet të garantojnë stabilitetin e strukturave.
Këto ndërhyrje, sipas institucionit, duhet të miratohen paraprakisht nga autoritetet përgjegjëse për të siguruar përputhshmërinë me kushtet teknike të ndërtimit. Inspektorati thekson se do të vijojë monitorimin e situatës në bashkëpunim me institucionet përkatëse, deri në garantimin e plotë të sigurisë në kantier.
Deklarata
Në përgjigje të raportimeve të publikuara javët e fundit në media mbi problematika që lidhen me qëndrueshmërinë dhe sigurinë e dy prej objekteve të projektit zhvillimor “Durrës Marina”, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) sqaron sa vijon:
Në zbatim të përcaktimeve ligjore dhe detyrave funksionale, me urdhër të Kryeinspektorit të IKMT-së, u ngrit një grup i posaçëm inspektimi për verifikimin e situatës në terren. Grupi i kontrollit përbëhej nga inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), inspektorë të IMT-së së Bashkisë Durrës, si dhe përfaqësues të Institutit të Ndërtimit (specialist të fushës).
Verifikimi u krye në lidhje me zbatimin e lejes së ndërtimit nr. 2349/12 prot., datë 10.09.2023, miratuar me Vendimin nr. 34, datë 01.08.2023, të KKT-së, për objektet: “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë” dhe “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë”, në zonat e menaxhimit A02 dhe A04, aktualisht në fazën ndërtimore të sistemimeve të jashtme.
Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmon se:
Objekti 02, me fazë ndërtimore 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm;
Objekti 04, me fazë ndërtimore 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm.
Nisur nga këto konstatime, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave.
Ky projekt përforcimesh, përpara zbatimit, duhet të marrë miratimin nga autoritetet ligjore përgjegjëse për garantimin e respektimit të kushteve teknike të planifikimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit.
Duke falënderuar median për bashkëpunimin dhe kontributin e saj, IKMT garanton se në kordinim me institucionet e tjera shtetërore sipas fushës së përgjegjësisë, mbetet maksimalisht e angazhuar dhe do të mbikëqyrë në vijimësi zbatimin e përcaktimeve ligjore në kantieret e ndërtimit.



