
Kontinenti Afrikan pritet të shpallet shumë shpejt pa sëmundjen e poliomielitit dhe kjo falë një fushate të madhe vaksinimi.
Lajmi është konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila theksoi se katër vjet pas rastit të fundit të regjistruar të poliomielitit në kontinent, konfirmimi pritej të shpallej në muajin gusht se kontinenti Afrikan më në fund është çliruar nga sëmundja.
OBSH, theksoi se ky rezultat pozitiv ka ardhur pas disa dekadave punë të palodhshme nga organizatat ndërkombëtare të shëndetësisë, qeveritë e vendeve afrikane, pushteti lokal, vullnetarët dhe të sëmurët.
Certifikimi duhet të lëshohet nga Komisioni Rajonal i Certifikimit të Afrikës (ARCC), një organ i pavarur i krijuar që nga viti 1998 nga OBSH, për të mbikëqyrur procesin e certifikimit dhe vaksinimit të poliomielitit në kontinentin Afrikan.
Ky rezultat pozitiv erdhi falë një fushate masive vaksinimi dhe monitorimi për fëmijët në Borno, një nga 36 shtetet e Nigerisë, ku është konsideruar si llogorja e fundit e luftës kundër poliomielitit në kontinentin Afrikan.
Çfarë është poliomieliti?
Poliomieliti është një sëmundje infektive që prek kryesisht fëmijët nën moshën pesë vjeç dhe godet sistemin qendror nervor, duke shkaktuar paralizë të parikuperueshme dhe në disa raste edhe vdekje.
Në vitet 1950 poliomieliti ishte një nga plagët e Perëndimit, p.sh, në SHBA në vitin 1952 kishte mbi 21 mijë raste të regjistruara. Në Itali në vitin 1958 u regjistruan deri në 8 mijë raste.
“Një angazhim epokal”
“Ishte një angazhim epokal”, i arritur falë një këmbënguljeje vërtetë impresionuese nga autoritetet”, tha Dr.Matshidiso Moeti, drejtor rajonal i OBSH për Afrikën.
“Ishte këmbëngulja e madhe e stafit për monitorimin e rasteve. Fushata e jashtëzakonshme dhe gjithëpërfshirëse kundër dezinformatave dhe skepticizmit të shumtë për vaksinat, ku shumë anëtarë të stafeve mjekësore ranë preh e shumë episodeve të dhunës, ishin faktorët kryesorë që mund të përmendim dhe që çuan në eleminimin e virusit”, tha Moeti.
Ndër të tjera, ai u shpreh se në këtë moment ka shumë dëshirë të paguajë një çmim për t’ia kushtuar këtë moment historik të gjithë të mbijetuarve nga poliomieliti që iu bashkuan luftës kundër kësaj sëmundjeje dhe që ndihmuan jashtëzakonisht shumë në shkëmbimin e informacioneve dhe përvojave të tyre personale dhe mbi të gjitha për ndikimin që ka pasur në jetën e tyre të qenurit me aftësi të kufizuara.
Pengesat në luftën kundër poliomielitit
Iniciativa e Komisionit Rajonal të Certifikimit në Afrikë për rastet e poliomielitit rezultoi se nga 350 mijë raste që ishin në 1988, shkuan në 33 raste në 2018.
Një fushatë e vitit 1996 e ndërmarrë nga Presidenti i Afrikës së Jugut dhe laureati i çmimit Nobel për Paqen, Nelson Mandela luajti një rol vendimtar në luftën kundër sëmundjes.
Megjithatë, lufta civile që ka shkatërruar Nigerinë për më shumë se 10 vjet ka pasur një ndikim negativ në përparimin e luftës kundër poliomielitit.
Gjithashtu, edhe disa incidente të dhunshme të cilat u shkaktuan nga refuzimi i komuniteteve të ndryshme lokale për kryerjen e vaksinimit me idenë se vaksinat janë të pasigurta, mbajnë virusin HIV dhe sterilizojnë gratë me qëllimin e vetëm për të zogëluar numrin e popullsisë, ndikuan shumë në përkeqësimin e situatës.
Të paktën 67 anëtarë të stafeve mjekësore, të angazhuar në zhdukjen e sëmundjes së poliomielitit janë vrarë dhe shumë të tjerë janë dhunuar e rrëmbyer. Kujtojmë 9-të anëtarët e stafit mjekësor, të cilët në vitin 2013 humbën jetën gjatë një sulmi xhihadist, ndërsa po vaksinonin fëmijët në qytetin Kano.
90% e të mbijetuarve janë në varfëri ekstreme
Në vitin 1996, 75 mijë fëmijë në Afrikë u paralizuan për shkak të poliomielitit. Kontinenti Afrikan sot është çliruar nga sëmundja, por lufta tani është përmirësimi i kushteve ekonomike për të mbijetuarit.
“90 për qind e të mbijetuarve nga poliomieliti në Nigeri jetojnë në varfëri ekstreme. Shumë prej tyre “zvarriten” rrugëve për të mbijetuar, duke lypur lëmoshë”, tha Musbahu Laëan Didi, një i mbijetuar nga poliomieliti dhe bashkëthemelues i Shoqatës së “Polio Survivors” të Nigerisë, e cila realizon fushata masive për të drejtat e pacientëve me poliomielit.



