
Një treg i zi, i rrezikshëm i plazmës së gjakut ka shpërthyer në Pakistan, ndërsa vendi po përballet me një situatë të vështirë të përhapjes së epidemisë së koronavirusit.
Mësohet se plazma e gjakut të pacientëve të shëruar nga Covid-19 po shitet për 3 mijë paund dhe sipas stafeve mjekësore sistemi shëndetësor i Pakistanit është në prag të kolapsit.
Plazma e gjakut po shihet në të gjithë botën si një trajtim i mundshëm i sëmundjes.
Ajo përmban antitrupa të gjeneruar nga sistemet imune të njerëzve që janë shëruar prej koronavirusit.
Në disa spitale shtetërore në Islamabad, mjekët janë shprehur se kishin vënë re shkëmbime mes pacientëve dhe ndërmjetësve.
“Mund të them me siguri se spitalet nuk janë të përfshirë në këtë biznes, por personalisht kam vënë re marrëveshje të tilla që ndodhin përpara syve tanë”, deklaroi një mjek në Islamabad për The Guardian.
Burimet nga Agjencia Federale e Hetimit konfirmuan se mjekët ishin të vetëdijshëm për shitjet në tregun e zi të plazmës së gjakut, por që i takon policisë të hetojë rastet individuale.
Pakistani po shënon një numër ditor të madh rastesh me koronavirus, rreth 185 mijë raste të konfirmuara dhe 5 mijë raste të reja në ditë.
Ministri Asad Umar deklaroi se numri i rasteve me koronavirus mund të tetëfishohet deri në fund të muajit korrik, duke parashikuar një rritje deri në 1.2 milionë të infektuar nga Covid-19.



