Mëngjesin e sotëm qarkulluan disa lajme ku thuhej se mjeku Pëllumb Pipero ishte nisur në Itali për kurim pas infektimit me koronavirus. Lidhur më këto zëra ka reaguar vetë mjeku Pipero i cili shprehet se e ka fituar betejën me Covid dhe se nuk ka shkuar në Itali, por ndodhet në zonën e Razmës të zonës së Shkodrës, për të pushuar disa ditë.
“Pas ditësh pritje, mjekimi në kushte shtëpie, kujdesi kolegësh, dhe interesimi e mbështetje pa fund nga miq, shokë, studentë, qytetarë, politikanë, shtetarë, jam i "çliruar" nga kthetrat e virusit, jam covid free, por ende me nevojën edhe për pak ditë pushim e rikuperim, ndaj përkundrejt lajmit për klinika jashtë vendit kam zgjedhur ajrin e pastër të Razmës për 3-4 ditë, dhe të hënën shpresoj të jem në krah të kolegëve të mi të pa lodhur në spitalin e sëmundjeve infektive!”, shkruan Pipero.
Ai ka falenderuar të gjithë ata që i janë gjendur pranë këto ditë të vështira, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm.
"Mirënjohje pa fund për të gjithë ju që mu gjendët pranë ndoshta në një nga betejat më të vështira të jetës time. Ju keshilloj të gjithve, të infektuar e shëruar, të vaksinuar apo në proces vaksinimi, duhet ende shumë kujdes, kujdes, kujdes, kujdes, maska, distanca fizike dhe higjena janë dhe do të jenë të domosdoshme deri në fund të kësaj pandemie! Ende nuk ka siguri, ndaj ende duhet kujdes!”, përfundon Pipero.
Kujtojmë se Pëllumb Pipero u infektua me koronavirus, pak ditë pasi ka marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer.
Në 'luftë' prej ditësh me Covid, mjeku Pipero niset në Itali për kurim?



