18 gushti shënon Ditën Ndërkombëtare të Gjeologjisë, një shkencë me rëndësi të veçantë për njohjen e pasurive natyrore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, veçanërisht përmes kërkimit dhe shfrytëzimit të pasurive nëntokësore.
Gjeologjia është shkenca që studion Tokën, përbërjen, strukturën, historinë dhe proceset që kanë ndikuar në formimin dhe ndryshimin e saj gjatë miliona viteve.
Ajo përpiqet të shpjegojë origjinën dhe evolucionin e Tokës si trup qiellor, si dhe ndryshimet që kanë ndodhur në të nga formimi i saj e deri në ditët e sotme.
Gjeologjia gjen zbatim në shumë fusha, ndër të cilat kërkimi dhe studimi i vendburimeve të mineraleve të dobishme, naftës, gazit, bitumit, materialeve të ndërtimit, si dhe burimeve të ujërave nëntokësore.
Të dhënat dhe studimet gjeologjike janë të rëndësishme edhe për ndërtimin e veprave infrastrukturore, mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Në Shqipëri, puna e gjeologëve shqiptarë dhe të huaj ka kontribuar në zbulimin dhe studimin e një numri të konsiderueshëm të pasurive nëntokësore.
Sipas të dhënave të paraqitura, në vend janë zbuluar më shumë se 15 vendburime nafte, 6 vendburime gazi, 7 vendburime bitumi dhe mbi 500 vendburime mineralesh.



