
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, nënshkruan marrëveshjen për shtrirjen e projektit të Oficerëve të Sigurisë, në të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë që prej shtatorit të 2018.
Ky projekt u pilotua në 15 shkolla në Tiranë dhe garantoi një mjedis të sigurt për nxënësit. Oficerët e Sigurisë do të shërbejnë për të garantuar më shumë siguri në mjediset shkollave, për parandalimin e konflikteve dhe akteve të dhunshme brenda komunitetit të nxënësve dhe parandalimin e çdo lloj veprimtarie kriminale në mjedisin rreth territorit të shkollave apo tentativave për të përfshirë të rinjtë në këtë lloj veprimtarie.
Dy ministrat nënshkruan marrëveshjen përkatëse në në gjimnazin ''Petro Nini Luarasi'', një prej shkollave të mesme të Tiranës, ku nisi aplikimi i projektit pilot. Oficerët e Sigurisë do të trajnohen në Akademinë e Sigurisë, për një periudhe intensive 1-mujore.
“Ne nuk dëshirojmë, nuk kemi pasur dhe nuk kemi kurrë si qëllim që të vendosim një polic, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, por ne kemi si qëllim për të ofruar më shumë siguri që të vendosim këtu, edukatorë me frymën e ligjit, edukatorë për zbatimin e ligjit, edukatorë për të parandaluar së bashku me trupën pedagogjike, së bashku në mënyrë të veçantë me psikologët e shkollave për të parandaluar fenomene negative, akte të konflikteve apo të dhunës së brendshme. Oficerët e Sigurisë në shkolla brenda territorit të shkollës janë edukatorë, jashtë territorit të shkollës ata shërbejnë si pika lidhëse ndërmjet policisë dhe shkollës.
Nga ana e saj, ministrja Nikolla duke u ndalur në të dhënat e ofruara nga projekti pilot tha se janë shumë inkurajuese dhe pozitive. Vetëm brenda 10 javëve, sipas ministres Nikolla, Oficerët e Sigurisë kanë ndihmuar në zgjidhjen e 80 konflikteve brenda shkollave.
"Nëse shikojmë raportimet shumë serioze që vijnë dhe nga shkollat dhe nga oficerët e sigurisë, në javët e para numri i konflikteve ka qenë shumë më i madh, gjë që ka ardhur çdo muaj në zbritje, duke treguar edhe njëherë besimin në rritje, por ajo që është objektivi kryesor i këtij projekti, shkollat janë më të sigurta. Këto 15 modele na kanë shërbyer jo vetëm si modele për të treguar sesa i rëndësishëm ishte ky projekt midis dy ministrive tona", tha Nikolla.
Ndërsa drejtoresha e shkollës së mesme "Petro Nini Luarasi", Teuta Bracaj, theksoi se edhe për nxënësit, oficerët e sigurisë kanë sjellë një impakt pozitiv.



