
Në Ditën Botërore të Fëmijëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ka prezantuar Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2027–2030, një dokument strategjik që synon forcimin e sistemit të mbrojtjes dhe fuqizimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
Me sloganin “Fëmijë të sigurt, të mbrojtur, të dëgjuar”, agjenda synon të vendosë në qendër nevojat dhe pjesëmarrjen aktive të fëmijëve, duke forcuar edukimin socio-shëndetësor dhe promovimin e një jetese të shëndetshme.
Dokumenti thekson bashkëpunimin mes institucioneve publike, shoqërisë civile dhe komunitetit për krijimin e mjediseve të sigurta dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët.
Gjithashtu, ai synon të garantojë mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë dhune, abuzimi, bullizmi, diskriminimi dhe shfrytëzimi, si në jetën e përditshme ashtu edhe në hapësirën digjitale.
Ndërkohë, politikat për përkujdesjen ndaj fëmijëve vijojnë të zbatohen përmes programeve kombëtare. Gjatë periudhës janar–mars 2026, 19,218 fëmijë kanë përfituar nga programi i kontrollit të shikimit, ndërsa 94,782 fëmijë nga programi i kujdesit dentar.
Po ashtu, 2,940 vajza dhe 1,343 djem kanë marrë vaksinën HPV.
Sipas të dhënave, gjatë tre muajve të parë të vitit, 138 fëmijë janë këshilluar përmes Linjës Kombëtare ALO 116-111, ndërsa 20 raste janë referuar për trajtim të mëtejshëm.
Në kuadër të procesit të deinstitucionalizimit, numri i fëmijëve që jetojnë në institucione rezidenciale publike ka rënë nga 246 në vitin 2021 në 199 në fund të vitit 2025, duke reflektuar zgjerimin e shërbimeve alternative dhe forcimin e mekanizmave të parandalimit.



