Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Nature Medicine sugjeron se brezat më të rinj po përjetojnë një plakje biologjike më të shpejtë krahasuar me brezat e mëparshëm, çka mund të lidhet me rritjen e rasteve të kancerit në moshë të hershme.
Studimi, i kryer nga studiues të Universitetit të Uashingtonit në St. Louis, analizoi të dhënat e mbi 160 mijë personave nga tre breza të ndryshëm dhe gjeti se treguesit e plakjes biologjike rriteshin në brezat më të rinj.
Sipas autorëve, kjo “moshë biologjike” më e lartë është e lidhur me një rrezik më të madh për zhvillimin e disa llojeve të kancerit, veçanërisht të mushkërive, aparatit tretës dhe organeve riprodhuese.
Analiza e biomarkuesve specifikë të gjakut tregon se individët e lindur në Mbretërinë e Bashkuar midis viteve 1965 dhe 1974 shfaqin plakje sistemike më të madhe sesa ata të lindur midis viteve 1950 dhe 1954.
Një model i ngjashëm është vërejtur midis amerikanëve: ata të lindur midis viteve 1990 dhe 1999 shfaqin plakje sistemike më të madhe sesa ata të lindur midis viteve 1965 dhe 1969.
Ky plakje e përshpejtuar në grupmoshën më të re shoqërohet me një rrezik në rritje prej 8% të tumoreve të ngurta me fillim të hershëm, veçanërisht kancerit të mushkërive, gastrointestinal dhe mitrës.
Kur pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe bazuar në nivelin e tyre të plakjes sistemike, ata me plakjen më të avancuar kishin një rrezik 15% më të lartë për të zhvilluar tumore të ngurta me fillim të hershëm krahasuar me ata me plakjen më pak të avancuar.
Studiuesit theksojnë se diferenca mes moshës biologjike dhe asaj kronologjike mund të shërbejë si tregues për identifikimin e personave me rrezik më të lartë, megjithatë ata nënvizojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar shkaqet e këtij përshpejtimi të plakjes.
Sipas të dhënave të studimit, individët e lindur në dekadat e fundit shfaqin shenja biologjike që lidhen me plakje më të avancuar në krahasim me grupmoshat më të vjetra në të njëjtën moshë, një fenomen që studiuesit e lidhin me ndryshime në stilin e jetesës dhe faktorë mjedisorë, por pa përfundime të qarta shkakësore.



