Besjana Guri, ambientaliste tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e lajmeve të MCN Tv se protesta po tregon një rezistencë për t’u marrë shembull dhe se lëvizja ka kaluar përtej asaj që u nis duke bashkuar shumë grupe njerëzish.
Më tej, Guri tha se ftesa për dialog erdhi vonë.
Protesta po tregon rezistencë për t’u marrë shembull. Rrethimi në zonën ku planifikohet të bëhet projekti është hequr dhe makineritë janë larguar. Kjo është nga arritjet e para dhe ndryshim nga gjendja e fillimit. Projekti vazhdon të jetë në planet e qeverisë, transparenca nuk është aty ky duhet. Veç lejeve që kemi parë në fillim të protestës, nuk kemi parë dokumentacion tjetër që tregon se cila është gjendja e planeve aktuale. Protesta vijon përtej ndalimit të projektit në Vjosë-Nartë.
Lëvizja ka kaluar përtej asaj që nisi. Ka bashkuar shumë grupe njerëzish. Mjedisorët vijojnë të qëndrojnë fort në protestë, por ka të rinj, familjarë, prindër të rinj që protestojnë për lirinë e fjalës. E kemi parë që zëri ynë nuk është dëgjuar.
Kërkesa për dialog nuk është mirëpritur nga protestuesit dhe mendoj që Rama u vonua. Është mendimi im personal, erdhi vonë ftesa për të biseduar. Po të kishte ardhur ditët e parë, mund të ishte gjetur një rrugë për të diskutuar dhe shkëmbyer argumente.



