
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i është përgjigjur presidentit Ilir Meta, i cili, duke u bazuar në të dhënat e OBSH-së për numrin e mjekëve në Shqipëri, njoftoi se ky numër është shumë i vogël në raport me popullsinë.
Manastirliu sqaron se të dhënat që i referohet Meta janë të vitit 2016, kur “sistemi shëndetësor vazhdonte të vuante pasojat e koalicionit qeverisës së periudhës 2009-2013”.
“Disa të dhëna të OBSH-së, fatkeqësisht të servirura gabimisht si aktuale edhe nga vetë kreu i shtetit mbi numrin e mjekëve për banorë në Shqipëri, kanë shërbyer sot si arsye për sulmin e radhës ndaj qeverisë. Të dhënat në fjalë, i referohen vitit 2016 dhe për ata që ende nuk e dinë, atë vit Shqipëria dhe sistemi ynë shëndetësor, vazhdonin të vuanin pasojat e një prej vendimeve më absurde që është marrë ndonjëherë nga ndonjë qeveri, në historinë e sektorit të Shëndetësisë: Bllokimi i pashpjegueshëm, për plot 4 vite, i specializimeve të mjekëve të rinj. Kështu kishte vendosur koalicioni qeverisës i periudhës 2009-2013, dhe për 4 vjet me radhë, Shqipëria nuk nxorri dot asnjë mjek specializant. Falë zhbllokimit të menjëhershëm që iu bë specializimeve me ardhjen në krye të qeverisë së Partisë Socialiste, prej vitit 2018 kur mbaruan specializimet e para dhe në vijim, janë 309 mjekë më shumë në sistem, të cilët falë kontratave që kanë me MSHMS ofrojnë shërbim atje ku janë nevojat e vendit.”
Ministrja nënvizoi se qeveria e PS-së ka vendosur me vepra dhe jo me fjalë – mjekun në qendër të politikave të saj për shëndetësinë.
“Për këtë arsye sot, mjekë dhe infermierë, bëhesh jo prej tarafit, shokut, mikut, partisë, por prej meritës dhe vetëm meritës. Vetëm në dy vitet e fundit në sistemin tonë shëndetësor janë punësuar mbi 600 mjekë dhe 2400 infermierë. Për këtë arsye, përgjatë qeverisjes sonë, falë politikës së re të pagave dhe taksimit të ndershëm, paga mesatare e mjekëve është rritur me 26 %, ndërsa paga mesatare e infermierëve është rritur me 27 %. Për këtë arsye kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim bonusin prej 2.5 milion lekë mbi pagën për mjekët që ofrojnë shërbime larg vendbanimit dhe bonusin special prej 1.000 euro, për çdo mjek e infermier që punon në vijën e parë të luftës me Covid19. Por, në anën tjetër, askush nuk mund të na pengojë që t’u vëmë përpara fytyrës, pasqyrën ku shihet qartë ndryshimi rrënjësor që ka pësuar sektori i Shëndetësisë, që nga koha kur kemi nisur rrugën e rilindjes së Shëndetësisë. Me punë dhe pa fjalë!”



