Një tjetër aksion ka nisur për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth. Fadromat e IKMT janë rikthyer në zonë për të vijuar me shembjen e 35 objekteve që janë në listë.
Dedë Kolaj banor i zonës së Thethit, të cilit do i prishet objekti tha në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e lajmeve të MCN Tv se nuk është lajmëruar nga autoritetet dhe se ndihet i terrorizuar pasi policia ka shkuar në orën 5 të mëngjesit pa lajmëruar.
Po përgatiten për plasje me mina për shembjen e objektit në lagjen Nik Gjonaj në Theth.
Është objekt në pronësinë e babait tim.
Objekti është ndërtuar për shtëpi banimi. Jemi familje shumë e madhe. I kemi bërë përgatitjet me vëllezërit jemi 6 dhe 2 motra, për të ndërtuar secili hyrjet e veta. Objekti është ndërtuar në 2023. Ka qenë e ndërtuar, çatia është bërë tani vonë.
Kanë marrë një vendim, pa njoftim pa asgjë. Ndihem i terrorizuar. Në orën 5 të mëngjesit kam qenë shumë i acaruar me veprimin që ka bërë policia ndaj objektit dhe shtëpisë sime. Duke pasur të gjithë familjen në gjumë, në orën 5 të mëngjesit më është rrethuar shtëpia sikur të isha kriminel. Ishte e pabesë.
Në 2023 shtëpia ka qenë e përfunduar, vetëm çatia pa vendosur. Na kanë bërë letrat për gjobë, i kemi nis për Gjykatë Administrative në Tiranë, po s’na kanë dhënë përgjigje.
Kemi 2 muaj që kemi aplikuar.



