Alexei Navalny, opozitari rus, që u helmua gjatë një fluturimi nga Tomask-u i Siberisë për në Moskë me 20 gusht, vazhdon të jetë në koma në spitalin Charite në Berlin.
Gjermania të mërkurën deklaroi se nuk “ekziston asnjë dyshim” që Rusia është përgjegjëse për helmimin e tij.
Kremlini reagoi sot në mëngjes, përmes zëdhënësit, Dimitri Peskov, i cili theksoi se nuk ka asnjë arsye për të akuzuar Rusinë në lidhje me helmimin e Aleksei Navalny.
“Rusia nuk dëshiron që Gjermania të dalë në përfundime të nxituara pa hetuar çështjen. Askush nuk përfiton nga helmimi i Navalny”, tha Peskov.
Referuar testeve toksikologjike të kryera nga mjekët gjermanë, Navalny u helmua me një agjent nervor kimik nga grupi Novichok.
“Është një fakt i çuditshëm që ai është viktimë e një sulmi me një agjent nervor kimik në Rusi. Qeveria federale e dënon këtë sulm sa më shumë të jetë e mundur, ndërsa Rusia duhet të japë shpjegime për incidentin”, citohet nga deklarata e Merkel.
Nga ana tjetër, Moska ka mohuar çdo akuzë në lidhje me helmimin e Navalny.
Navalny, 44-vjeç është bërë i njohur si një blogger që shkruan kundër korrupsionit në Rusi dhe për më tepër si një nga kundërshtarët kryesorë të presidentit rus, Vladimir Putin.
Ai është dënuar disa herë, madje një vit më parë pretendoi se ishte helmuar në burg.
Alexei Navalny, i cili ishte duke udhëtuar për në Moskë nga Siberia u sëmur gjatë fluturimit, ndërsa avioni u detyrua të bëjë ulje emergjente në Omsk të Siberisë. Ndihmësi i tij tha se Navalny kishte pirë çaj në një kafene të aeroportit.
Përkrahësit e Navalny-t, një kritik i njohur i presidentit rus Vladimir Putin, besojnë se çaji ishte i helmuar.
Ishte zonja Navalnaya e cila nguli këmbë që bashkëshorti i saj 44 vjeçar, të dërgohej në Berlin për kurim.



