Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë një tjetër kallëzim sot në SPAK.
Kallëzimi u bë për veprën penale "vrasje e mbetur në tentative". Sipas Aleancës, në momentin e shembjes, në godinën e Teatrit Kombëtar, ndodheshin brenda disa artistë dhe aktivistë.
Aleanca ka bërë më dije se godina nuk u kontrollua para se të fillonte shembja dhe ata që ishin brenda kanë dalë vetëm kur dëgjuan fadromat.
Ndërkohë avokatja Adriana Kalaja është shprehur se Lleshaj, Veliaj dhe Veliu akuzohen për vrasje e mbetur në tentativë, duke kërkuar edhe arrestimin e tyre.
“Një grup nga Aleanca kemi kallëzuar penalisht në SPAK Ardi Veliun Veliajn dhe Sandër LLeshaj. Ata akuzohen për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë. Kemi shtruar të gjitha argumentet tona për këtë vepër të rëndë. Për dyshimin tonë të arsyeshëm për shkak të rrezikimit të fshirje së provave, kemi kërkuar edhe arrestimin e tyre. Edhe pas datës 17 maj po vazhdohet më krimin. Ne nuk kemi dorëzuar asnjë provë, pasi po fshihen provat me një marrëveshje Veliaj-Rama. Kur të merret deklarimi ne do të dorëzojmë provat me procesverbal”, tha Kalaja.
Ndërsa regjizori Robert Budina u shpreh se po pritet që SPAK të zbardhë këtë cështje dhe gjithashtu se do e përkthejnë çështjen dhe do të kërkojmë hetim të huaj.
“Pse nuk e pyesin Lleshajn, që policët ishin pa numri, ku e dimë ne se drejtësia ekziston. Ne presim që SPAK të zbardhë këtë çështje dhe gjithashtu do e përkthejmë çështjen dhe do të kërkojmë hetim të huaj. Ne na sulmuar atë natë. Më kanë vënë automatikun në kokë dhe është fjala ime kundër fjalës së këtij ministri. Nëse nuk kthehet Teatri aty ku ishte, nuk do të kthehet tempulli i demokracisë. Jemi vënë përballë një shteti që vepron në mënyrë terroriste. Do të shkojmë edhe parlamentin evropian dhe do t’i detyrojmë që të bëjnë drejtësi”, tha Budina.
Ndërkohë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka kallëzuar në SPAK edhe Erion Veliajn e Arbjan Maznikun.
Mbi ta rëndon akuza për "shpërdorim detyre" dhe "korrupsion pasiv i dy zyrtarëve që kryejnë funksione publike kryer në bashkëpunim".



