Ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi deklaroi në Durrës, se qeveria ka akorduar 107 milionë lekë për rikonstruksionin e banesave rome dhe egjyptiane në 10 bashki të vendit.
Klosi mori pjesë në dialogun publik për integrimin social-ekonomik të komunitetit rom. Duke kërkuar më shumë politika sociale nga bashkia e Durrësit në mbrojtje të komunitetit rom, Klosi tha se “ne si politikbërës mendojmë se jemi shumë larg realizimit të objektivit tonë madhor që në Shqipëri disa standarde të realizohen”. “Të shikojmë mundësinë e ngritjes së hartës së shërbimeve, pra ku shërbimet funksionojnë, ku i kemi të mundur t’i realizojmë dhe ku do të duhet të synojmë”, tha ai.
Ndërkohë kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako tha se “për nevojat e këtij komuniteti është menduar në buxhetin e vitit të ardhshëm”. “Edhe në buxhetin e këtij viti ne jemi duke i paraprirë me një seri investimesh në zonat ku banon komuniteti rom”, tha ai.
Rekomandimet e BE-së për komunitetin rom dhe egjyptian i kanë vënë detyrë njësive vendore, integrimin e tyre në jetën publike sociale dhe ekonomike. Dialogu publik ka nisur nga bashkia e Durrësit. Komuniteti rom në Durrës si problem parësor ngre punësimin, strehimin dhe arsimin. Shumë fëmijë pavarësisht projekteve, sërish janë në situatë rruge, pasi braktisin shkollën për të lypur.



