Jo shumë larg nga Qendra Administrative Thumanë, në fshatin Borizanë, jeton një familje me tre anëtarë që përballen çdo ditë me vështirësi të mëdha ekonomike dhe shëndetësore.Sadri Leka, 58 vjeç, vuan nga probleme të rënda mendore dhe nuk është i aftë të ecë. Përkujdesja ndaj tij bie mbi prindërit e tij të moshuar, Islam Leka, 83 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Sania, 77 vjeçe, të cilët edhe vetë përballen me probleme shëndetësore dhe kufizime për shkak të moshës.
Islam Leka tregon se kujdesi për të birin është bërë gjithnjë e më i vështirë, ndërsa shpenzimet për ilaçe janë shumë të larta. Sipas tij, familja shpenzon rreth 200 mijë lekë të vjetra në muaj vetëm për medikamente, një shumë që nuk mbulohet nga të ardhurat që ata përfitojnë.
Edhe Sania Leka shprehet se çdo ditë për ta është një sfidë, pasi përveç kujdesit për djalin, ajo duhet të përballet edhe me dobësinë e vet fizike për shkak të moshës.Nga ana e tij, Sadri Leka shprehet se ndihet i lumtur që i ka prindërit pranë, të cilët e ndihmojnë në çdo moment. Për të lëvizur brenda shtëpisë, ai detyrohet të zvarritet, ndërsa edhe për një shëtitje të vogël jashtë ka nevojë për ndihmën e tyre, pasi i vetëm e ka të pamundur.
Për shkak të kushteve të vështira, familjarët janë drejtuar pranë Qendrës Administrative Borizanë, ku kanë kërkuar një takim me kryetaren, znj. Griselda Mana, me shpresën për të marrë një ndihmë apo mbështetje brenda mundësive ligjore.Sipas tyre, kryetarja nuk ndodhej në zyrë, me arsyetimin se ishte në terren.
Edhe pse familjarët kërkuan të informoheshin për vendndodhjen e saj për t’u takuar atje, kjo nuk u bë e mundur. Ata u njoftuan se nuk ishte e mundur as që ajo të paraqitej atë ditë në zyrë.Në këto kushte, familjes iu kërkua të paraqiste një kërkesë me shkrim, e cila u hartua me ndihmën e sekretares së Qendrës Administrative Thumanë.



