Vendosja e maskave në Gjermani po mendohet të bëhet e detyrueshme me qëllim parandalimin e virusit Covid-19.
Mësohet se të gjitha landet gjermane po e mendojnë një nismë të tillë, ndërsa Bremeni është rajoni i parë federal që ka mbështetur masat, pasi Senati i tij konfirmoi të premten vendimin.
Bëhet me dije se vendosja e maskave do të jetë e detyrueshme kur përdoret transporti publik në gjithë Gjermaninë dhe pothuajse të gjitha shtetet do të marrin vendim për vendosjen e tyre edhe gjatë blerjeve nëpër dyqane.
Vendimi është mirëpritur edhe nga kancelarja Angela Merkel, e cila ishte një nga autoritetet e para në vend që rekomandoi fuqishëm vendosjen e tyre, në kohën kur ka lehtësuar masat e izolimit në nivel kombëtar.
Mirëpo shtete të ndryshme kanë marrë vendime të ndryshme sa u përket udhëzimeve për përdorimin e maskave.
Austria i ka bërë ato të detyrueshme gjatë blerjeve nga fillimi i këtij muaji, ndonëse Zvicra ka njoftuar të mërkurën se nuk do të kërkojë vendosjen e tyre nga qytetarët, teksa lehtëson masat e izolimit.



