Pedagogu i Politeknikut, Luan Myrtaj, protestën e pedagogëve nuk e cilëson si peticion për rritje pagash, duke cituar se në Kushtetutë thuhet qartë se duhet të bësh rritje pagash në bazë të inflacionit.
Në këtë drejtim saktësoi se rritja duhet të ndodhë në bazë të inflacionit real dhe jo të atij që thotë qeveria, pasi çmimet janë dyfishuar.
Në studion e MCN Live, Myrtaj deklaroi se i pëlqen fakti që e kanë vënë si pikë rritjen e pagave, por sugjeron se mund ta quanin si indeksim.
Nuk është vetëm çështja e pagave, por e dinjitetit se sa dinjitoz ndihem në punë time. Për të arritur një dinjitet duhet të kesh pjesën mbështetëse.
Më bën përshtypje fryma e përçarjes ku Kryeministri thotë se disa pedagogë nuk e meritojnë rrogën. Jam dakord, se nuk duhet të ishin pedagogë. Ai i mban, dhe më tej iu thotë se po ju mbaj në punë.
Te protesta e studentëve kam qenë përditë në protestë, ndërsa pjesa që janë të lidhur me ngushtë me organet e partisë, e kanë goditur protestën e studentëve.
Mos të më thonë që ka pedagogë që nuk e meritojnë rrogën dhe i mban atje. Kur tek halli më i vogël tentohet përçarja, imagjino nëse duam të bëjmë arsim cilësor.
Jeni një stan me dele! Studentët i kemi dele, ne jemi çobanë. Me që nuk u gjejmë dot punë, i fusim në shkollë të lartë, i mjelim 5 vjet.
Krahasimin me stanin Myrtaj e lidhi me protestën e studentëve, kur tha se pedagogët u shantazhuan dhe u detyruan të tërhiqen.
Sikur të plotësohet gjithë peticioni sot, nuk e quaj fitore, por barazim. Se disa gjëra duhet të ishin plotësuar. Se që të japësh maksimumin në punë, duhet të jesh i qetë.
Ndërtesë nuk kemi, unë jam pa zyrë, se ndërtesën që kishim na e prishi tërmeti.



