Tërmeti i 26 nëntorit 2019 e ka dëmtuar rëndë, por në katin e parë të Spitalit të Djegie-Plastikës, mjekë e pacientë hyjnë e dalin çdo ditë.
Rindërtimi nuk e ka prekur edhe dy vjet e gjysmë pasi tërmeti e ktheu në ndërtesë të rrezikshme, aq sa iu vu shiriti i kuq.
Katër shërbimet që ofroheshin aty, Djegie-Plastika, Dermatologjia, Biopsia dhe Banka e Gjakut kanë mbetur pa objekt.
Ndërkohë, në katin e parë janë ende zyrat e mjekëve. Gazetari Erion Skëndo ka bërë një vëzhgim në mjediset e këtij spitali, ky së bashku me infermierët, pacientët dhe familjarët e tyre, mjekët rrezikojnë çdo ditë jetën në një ndërtesë, e cila më shumë se dy vite më parë u shpall e papërdorshme.
Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, qeveria u angazhua në rindërtimin e banesave, shkollave dhe objekteve të tjera të shembura ose të dëmtuara në atë shkallë sa u shpallën të pabanueshme.
Por nëse për pjesën më të madhe të banorëve që mbetën pa shtëpi u gjet zgjidhje nëpërmjet fondit të rindërtimit, për Spitalin e Djegie-Plastikës në QSUT nuk është kujtuar ende askush.



