Drejtori i Programit të Situatave Emergjente të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Mike Ryan deklaroi të premten se janë të sigurt që koronavirusi i ri (COVID-19) është me origjinë natyrore.
Kjo deklaratë u bë gjatë një konference për mediat të organizuar nga drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në qytetin e Gjenevës, në Zvicër.
Ghebreyesus u pyet në lidhje me deklaratat e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, se “COVID-19 është prodhuar në një laborator në qytetin Vuhan të Kinës” dhe se “OBSH-së duhet t'i vijë turp nga vetja, sepse po punon si të ishte agjenci kineze e marrëdhënieve me publikun”.
Por, ai, vendosi që kësaj pyetjeje t’i përgjigjej drejtori i Programit të Situatave Emergjente të OBSH-së, Mike Ryan, i cili theksoi se një numër i madh shkencëtarësh e kanë analizuar disa herë sekuencën e gjeneve të koronavirusit të ri dhe rrjedhimisht, ne jemi të sigurt që ky virus është me origjinë natyrore.
Ghebreyesus theksoi se gjendja emergjente ndërkombëtare e shëndetit publik në lidhje me pandeminë COVID-19 është duke vazhduar.
Ai i refuzoi edhe një herë tjetër akuzat se OBSH-ja është vonuar për të reaguar kundër pandemisë.
Trumpi deklaroi të enjten se ai kishte parë fakte që COVID-19 kishte dalë nga një laborator në qytetin Vuhan të Kinës, por duke iu shmangur detajeve të mëtejshme.
Gjatë daljeve publike ditëve të fundit, Presidenti amerikan e ka akuzuar shpeshherë Kinën për fshehje të shifrave reale të rasteve dhe vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi dhe për përhapjen e tij anembanë globit.



