Kancelarja gjermane, Angela Merkel të hënën është shprehur jo shumë optimiste në lidhje me shkallën e infeksionit në vend, duke deklaruar se gjithçka po shkon drejt një mesatarje ditore mbi 19 mijë rastesh të reja me Covid-19.
Merkel paralajmëroi se nëse vazhdohet me këtë trend, atëherë Gjermania do të ketë 19,200 persona të infektuar me COVID në 24 orë.
Ajo tha se duhet të merren disa masa, veçanërisht në pikat e nxehta, ose Gjermania do të ketë një numër të infektuarish të barabartë me vendet e tjera europiane deri për Krishtlindje.
“Numri i personave të infektuar në Europë është shumë shqetësues dhe është e nevojshme të bëhet gjithçka që të parandalohet rritja eksponenciale”, deklaroi Merkel.
Sipas saj, është shumë e nevojshme që të përcaktohen sektorët që do të kenë përparësi dhe se ekonomia e vendit duhet të vazhdojë të funksionojë, gjithashtu edhe shkollat dhe kopshtet duhet të qëndrojnë të hapura, ndërsa futbolli është diçka dytësore.
Ajo kritikoi gjithashtu autoritetet lokale, veçanërisht qeverinë e provincës së Berlinit, duke thënë se “diçka më në fund duhet të bëhet në atë qytet”.
Gjermania deri më tani ka raportuar 286 mijë raste me koronavirus, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 9,534.



