Numri i lartë i rasteve të reja është pasojë e mosrespektimit të masave anti-Covid. Në një intervistë për TvT, epidemiologu Artan Simaku tha se popullata do të bashkëjetojë për ca kohë me virusin dhe në të tilla kushte, e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen është respektimi i masave.
“Shqipëria nuk ëshë i vetmi vend i rajonit që është i prekur. Situata ka ardhur si pasojë e morespektimit të masave nga popullata dhe bizneset. Nuk janë respektuar dhe këtë e kemi thënë që në fillim që kusht për heqjen e karantinës ishte respektimi i masave. Është thënë gjatë gjithë kohës që popullata do të bashkëjetojë me këtë virus dhe duhet të ndërgjegjësohet”, tha ai.
Sipas epidemiologut Simaku, është e pamundur që situata të menaxhohet përmes ndëshkimit për ata që shkelin masat.
“Mosmbajtja e maskave është rrezik. Jemi në këtë situatë sepse nuk janë respektuar masat. Kjo nuk është çështje gjobash dhe inspektorati. Nuk mund të vëmë polic në çdo autobus. Duhet ndërgjegjësim shumë i madh”, tha ai.
Sa i takon fillimit të shkollës javën e ardhshme, Simaku tha se janë marrë të gjitha masat.
“Janë hartuar protokollet për mbarëvajtjen për një situatë sa më të lehtë në lidhje me Covid. Janë protokolle specifike për secilën grupmoshë”, përfundoi ai.



