Përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkisë së Himarës, Hipotekës së Vlorës dhe ALUIZNI-t ishin në Himarë në kuadër të procesit të bisedimit me banorët që pretendojnë titujt e pronësisë në objektet që preken nga projekti i rikualifikimit urban.
I pranishëm në terren ishte edhe zv. ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli sipas të cilit Himara, sikurse e gjithë zona rreth e rrotull, është më e vonuar përsa i përket hedhjes në sistem të të dhënave për tokën.
“Është menduar nga qeveria shqiptare, me mbështetjen e pushtetit lokal, që ky projekt për rikualifikimin urban të shërbejë edhe si një projekt pilot për regjistrimin e pronave të njerëzve që kanë pretendime. Bëj një apel të fundit në mënyrë që sot një javë të jenë në dispozicion të këtyre pretendentëve për prona të cilët kanë dokumentet. Ti paraqesin këto dokumente të enjten tjetër në mjediset që do të vërë në dispozicion bashkia. Një gjë është e qartë dhe e sigurt që ky projekt do të vazhdojë dhe nuk ka kthim prapa të projektit”, citon Shkrelin Shqiptarja.com.



