Vaksina Bacillus Calmette Guerin (BCG) e bërë tek miliona fëmijë indianë menjëherë pas lindjes për t’i mbrojtur ata kundër tuberkulozit, mund të “ndryshojë rrjedhën e historisë” në luftën kundër virusit Covid-19, thanë shkencëtarët amerikanë.
Sipas tyre, përhapja e koronavirusit mund të jetë e lidhur me politikat kombëtare të shteteve mbi vaksinimin e fëmijëve me BCG, krahasuar me Italinë dhe SHBA-në që kanë një sistem krejt tjetër vaksinimi.
Studimi nuk është botuar ende nga Instituti i Teknologjisë së Nju Jorkut (NYIT).
“Ne zbuluam se vendet pa politika universale të vaksinimit të BCG, si Italia, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara, janë prekur më rëndë në krahasim me vendet me politika universale të BCG”, deklarojnë një grup studiuesish të udhëhequr nga Gonzalo Otazu, profesor asistent i shkencave biomjekësore në NYIT.
SHBA ka raportuar gati 1 milion e 90 mijë raste me Covid-19, si dhe 4 mijë viktima si pasojë e virusit. Italia ka raportuar 1 milion e 5 mijë të infektuar dhe mbi 12 mijë viktima si pasojë e koronavirusit, kurse Holanda ka raportuar 12 mijë raste të prekura dhe 1 mijë viktima.
Sipas studimit, një kombinim i zvogëlimit të infeksioneve dhe vdekshmërisë, mund ta bënte vaksinën BCG një ndryshues të lojës në luftën kundër Covid-19.
Vaksina BCG është pjesë e programit për imunizimin e popullsisë në Indi kundër tuberkulozit dhe bëhet tek miliona fëmijë menjëherë pas lindjes.
Ajo përbëhet nga mycobacterium bovis, një agjent që shkakton tuberkulozin te gjedhet dhe që lidhet me mykobakterium, bakterin që shkakton tuberkulozin tek njerëzit.
India ka numrin më të lartë të të infektuarve në botë nga tuberkulozi dhe për shkak të kësaj realizoi vaksinimin në masë të popullsisë me vaksinën BCG në vitin 1948.
Ekspertët indianë thanë se të dhënat ishin shpresëdhënëse dhe ishin të inkurajuar për një rezultat pozitiv, por megjithatë ishte përsëri herët për të thënë fjalën e fundit.
“Çdo gjë e vogël është një rreze shprese. Por është e parakohshme të thuash diçka tani. Megjithatë, vaksina BCG është provuar mjaft rezultative në luftën kundër infeksionit SARS”, tha Monica Gulati, dekane e Fakultetit të Shkencave Mjekësore të Aplikuara në Universitetin Lovely Professional në Punjab.
Sipas saj, vaksina është rezultative jo në kuptimin që mund të kuronte të infektuarit me Covid-19, por se mund të zvogëlonte intensitetin e përhapjes së virusit.
Ajo tha se virusi SARS është gjithashtu në thelb një “koronavirus”.
Gulati sqaron se pandemia është më pak intensive tek vendet që kanë një sistem vaksinimi me BCG, duke marrë parasysh dhe se ajo luajti një rol pozitiv për luftën ndaj një koronavirusi tjetër, mund të jetë kjo një arsye për shpresë.
“Në mungesë të ndonjë vaksine për Covid-19, ky është një zhvillim inkurajues”, tha ajo.



