
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishin sot në ceremoninë e inaugurimit të shkollës së bashkuar “Bedri Llagami” në Vaqarr që hap dyert për nxënësit nga cikli 1 deri në 12.
Manastirliu deklaroi se kur flitet për shkollat nuk shihet më diferencë, nëse kjo është një shkollë është në një zonë rurale apo kjo është një shkollë që është në një qendër të kryeqytetit.
Për ciklin 2024-2025, Manastirliu tha se janë 100 shkolla që pritet të përfundojnë procesin e rehabilitimit dhe modernizimit, duke u bërë modele të cilësisë dhe inovacionit në fushën e arsimit.
Jam e bindur që kjo shkollë nuk e përmbyll të gjithë zotimin që kemi bërë për sa i përket modernizimit të infrastrukturës shkollore.
Për ciklin 2024-2025 do të jenë 100 shkolla të cilat do të përfundojnë nga pikëpamja e rehabilitimit dhe modernizimit të tyre infrastrukturor.
Po përmbyllim dhe vlerësimin për thirrjen e hapur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për infrastrukturën arsimore për të gjitha bashkitë e vendit.
Nga ana e tij kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u shpreh se është gati një paketë tjetër shkollash që do të fillojnë.
Është një lot i madh, i cili ka të bëjë me shkollat e Astirit, një komunitet i cili prej kohësh është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme.
Në këtë partneritet 50 me 50, pra gjysmat qeveria, gjysmat bashkia, ne do të fillojmë 4 shkolla tek Astiri në të dyja anët e Lanës.
Të njëjtën gjë duam të bëjmë tek zona e Liqenit të Thatë, të njëjtën gjë do të bëjmë në Sauk.



