Zef Vladaj, kryetar i Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar, thotë se situata e krijuar në Theth nuk ka ardhur papritur. Në një lidhje Skype me MCN Informacion, ai tha se banorët e Thehti kanë 34 vjet që kërkojnë legalizimin e tokave të tyre, por shteti nuk u është përgjigjur.
Ne kemi thënë që kullat i kemi mbrojtur me gjak. Përsa u përket shtëpive, tash 500 vjet, qëkur turku e pushtoi Shqipërinë, ne morëm malet. Kur këto toka janë 500-vjecare e për to kemi paguar taksa e kemi derdhur gjak, e më pas në regjimin e Enver Hoxhës kemi paguar taksa për këto prona. Si ka mundësi të na marrin taksat pa pasur pronë. Ku i kemi pronat? Pse ato nuk funksionojnë sot? Ne kemi kërkuar legalizim. Tash 34 vjet, shteti nuk e ka bërë këtë gjë.
Unë jam 86 vjeç. Kur më ftoni ju, bëhem 20. Sa i përket pronave, nuk kemi asnjë mosmarrëveshje me njëri-tjetrin. I kemi të ndara prej 500 vitesh. Unë jam i pari që kam kërkuar legalizim. Pa e pasur pronën tënde është e metë. Edhe shteti nuk do të ishte marrë me këto që po merret nëse do të kishte legalizim. Jo se nuk duhet zbatuar ligji, por të shkatërrosh është gjynah.



