Me kontributin e SHBA dhe NATO, Shqipëria mori dhuratë sot 60 respiratorë të rinj, që i shtohen kapaciteteve për të luftuar Covid-19 në në Spitalin Infektiv, atë Shefqet Ndroqi dhe në spitalet e reja COVID 3 dhe 4 deri në daljen nga dimri.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj u shpreh se këtë ndihmë, numri i respiratorëve në sistem shkon në 173.
“Në sistem kemi 173 respiratorë. Me flotën e respiratorëve në dyfishojmë flotën që i shtohet kapaciteteve ekzistuese prej 200 respiratorësh që kishim para se të përballeshim me epideminë, “ u shpreh Manastirliu.
Po ashtu, ministrja u shpreh se deri në fund të pandemisë, me financimin e qeverisë, sistemit do t’i shtohen edhe 44 respiratorë të avancuar edhe statikë.
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama ka falenderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që përmes NATO i dhuruan vendit tonë 60 respiratorë të rinj, pajisje vitale për pacientët e prekur nga koronavirusi.
Rama tha se respiratorët do të shkojnë në spitalet e reja Covid 3 dhe 4, duke iu shtuar fuqisë së instaluar për të luftuar virusin “deri në daljen nga ky dimër sfidues”.
“I jam shumë mirënjohës SHBA, që si gjithmonë edhe në këtë rast janë treguar të vëmendshme ndaj Shqipërisë. E falenderoj në mungesë zonjën ambasadore të SHBA, Kim, e cila më dha e para lajmin për këtë mbështetje kaq të çmuar dhe kaq të nevojshme në këtë fazë përballjeje me këtë armik. I jam mirënjohës të gjithë përfaqësuesve të pranishëm këtu, aleatëve për kontributin krah Forcave tona të Armatosura.
Nga sot edhe këta respiratorë do të jenë në vijën e zjarrit për të mbrojtur dhe për të shpëtuar jetë. Të mos lejojmë që kjo krizë shëndetësore dhe humanitare, të mos shndërrohet edhe në një krizë sigurie”, u shpreh Rama.



