Ukraina dhe separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore kanë nënshkruar një marrëveshje për armëpushim të plotë.
Trupat, nga të dyja palët, janë udhëzuar për armëpushim dhe për ndalim të përdorimit të armëve.
Konflikti mes Ukrainës dhe separatistëve ka nisur në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, e cila u mbështet nga separatistët.
Nga ky konflikt kanë mbetur të vrarë më shumë se 14,000 persona.
Presidenti rus, Putin shprehu shqetësim për thirrjet e Kievit për të rishikuar marrëveshjen e Minskut.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Zelensky kërkon lirimin e ukrainasve që janë të burgosur në Donbas dhe Krime, si dhe në Federatën Ruse.
Marrëveshja e vitit 2015 parashikonte se Ukranina mund ta rifitonte kontrollin mbi kufirin e saj, pasi të zhvillonin zgjedhjet lokale.
Kjo marrëveshje uli disi tensionin, megjithatë shpesh herë ka pasur shkëmbime zjarri mes grupeve.
Marrëveshja e re e armëpushimit u arrit nga anëtarët e Grupit të Kontaktit Trepalësh që përfshin përfaqësues të Rusisë, Ukrainës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhe u mirëprit nga zyrtarët e BE-së.
Në thelb Ukraina kërkon paqen, por gjithashtu dëshiron të rimarrë kontrollin mbi territoret e saj lindore dhe nuk dëshiron të bëjë kompromis për një gjë të tillë.
Nga ana tjetër, Rusia kërkon të ketë ndikim ende në Ukrainën lindore e njëkohësisht të normalizojë marrëdhëniet me Europën.



