Zjarrfikësit e Bashkisë Vlorë, kanë zhvilluar një takim në ambientet e Bashkisë, ku kanë ngritur shqetësimet e tyre lidhur me pagesat dhe kompensimin për orët e punës dhe të gatishmërisë.
Sipas kërkesave të paraqitura prej tyre, zjarrfikësit kërkojnë zbatimin e këtyre të drejtave: Pagën shtesë të parashikuar nga qeveria; pagesën për orët shtesë të gatishmërisë; pagesën për orët e punës gjatë natës; pagesën për orët e punës në ditët e pushimit javor; pagesën për orët e punës gjatë ditëve të festave zyrtare.
Ata kanë deklaruar se ky është një hap i parë i ndërmarrë duke kërkuar nga Bashkia zgjidhjen e të gjitha këtyre kërkesave. Sipas tyre, kjo nuk është grevë apo protestë, por kërkesë e të drejtave që u takojnë.
Zjarrfikësit kërkojnë që këto të drejta të njihen dhe të zbatohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa kanë kërkuar zgjidhje të të gjitha kërkesave të tyre nga Bashkia e Vlorës.



