
Brenda katër ditëve, në familjen Dhëmbi janë shënuar dy ngjarje të rënda që kanë tronditur banorët e zonës. Sipas dëshmive të banorëve, mesditën e kësaj të enjte, vajza e dytë e familjes ka tentuar të hidhet nga pallati ku jetojnë.
Ndërkohë, vetëm katër ditë më parë, ishte vajza e madhe ajo që kishte tentuar të kryente të njëjtin veprim.
Lidhur me këtë zinxhir ngjarjesh në të njëjtën familje, punonjësi social Klaudio Pulaha deklaroi për “MCN Live” se, përderisa rastet janë të përsëritura, vëmendja duhet të drejtohet edhe tek institucionet dhe mbështetja psikosociale që u është ofruar familjarëve.
Ky është një rast me histori të përsëritur dhe duhet analizuar se çfarë është bërë më parë dhe si është trajtuar. Kemi të bëjmë me një familje që ka nevojë për ndihmë dhe fuqizim, pasi babai ndodhet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale dhe vajzat jetojnë me nënën.
Duhet parë nëse vet nënës fillimisht dhe të miturave u është ofruar shërbim psiko-emocional, qoftë nga bashkia apo organizata të ndryshme.
Gjithashtu, është e rëndësishme të kuptohet si është mbështetur nëna dhe si janë trajtuar vajzat pas rastit të parë.
Pulaha theksoi gjithashtu se pamjet e tilla nuk duhet të transmetohen, pasi mund të ndikojnë në përsëritjen e sjelljeve të rrezikshme.
Pamjet ndërkohë nuk duhen transmetuar në media sepse shihen si model nëse shikohen për veprime vetdemtuese.
Ne të gjithë duhet kuptuar se si po e bëjmë punën tonë, duke nisur nga punonjësja sociale. shkolla, shoqëria, komuniteti.
Duhet të analizojmë çfarë nuk po bëjmë mirë si institucione dhe si shoqëri.
Nëse nuk reagojmë në kohë dhe në mënyrë të koordinuar, ekziston rreziku që raste të tilla të përsëriten.



