
Instituti i Shëndetit Publik jep disa këshilla jetike në Ditën Botërore të Melanomës, lidhur me parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.
Përmes një mesazhi në Facebook, ISHP thekson se “Masa më e rëndësishme për parandalimin e kancerit të lëkurës është një mbrojtje efektive nga rrezet ultravjollcë”.
Mesazhi i ISHP:
DitaBotëroreMelanomës
-Qëllimi i Ditёs Botёrore tё Melanomës është rritja e ndërgjegjësimit ndaj kancerit tё lёkurёs.
-Melanoma është një nga llojet më të rrezikshme të kancerit të lëkurës. Ajo zhvillohet në qelizat ku prodhohet melanina, pigmenti që përcakton ngjyrën e lëkurës sonë. Melanoma mund të formohet gjithashtu në sy dhe mjaft rrallë në organet e brendshme si p.sh. zorrët.
Shkaku i melanomës nuk është i qartë, por ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë (UV) të diellit apo solarëve rrit shumë rrezikun e zhvillimit të këtij lloj kanceri. Në faktorët rrezikues ka edhe një komponent gjenetik, i cili luan gjithashtu një rol të rëndësishëm.
-Parandalimi dhe zbulimi i hershëm
Masa më e rëndësishme për parandalimin e kancerit të lëkurës është një mbrojtje efektive nga rrezet ultravjollcë:
-Të shmanget me çdo kusht djegia nga dielli.
-Të qëndrohet në hije në orën 11 – 15, atëherë kur ngarkesa me rreze UV është më e madhe.
-Të mbahen kapelë, syze dielli dhe rroba të përshtatshme.
-Të përdoret krem me faktor të lartë mbrojtës.
- Të mos ekspozohen kurrë drejtpërdrejt në diell, foshnjat deri në moshën njëvjeçare.
-Veçanërisht fëmijët ёshtё mirë të mbrohen nga dielli.



