Dita Botërore e luftës kundër kancerit shënohet në 4 shkurt, dhe është themeluar nga Unioni për Kontrollin Ndërkombëtar për Kancerin e mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Kanceri është shkaktari i dytë i vdekshmërisë në mbarë botën.
Dita Botërore e Kancerit u zyrtarizua në Samitin e parë Botëror Kundër Kancerit në vitin 2000. Ky event u mbajt në Paris dhe morën pjesë anëtarë të organizatave të kancerit dhe udhëheqës të shquar të qeverisë nga e gjithë bota. Një dokument i titulluar ‘Statuti i Parisit Kundër Kancerit’ që përmban 10 artikuj u nënshkrua, duke përshkruar një angazhim global për të përmirësuar lehtësimin dhe cilësinë e jetës së pacientëve me kancer. Gjithashtu u theksua përparimi dhe rritja e investimeve në kërkimin, parandalimin dhe trajtimin e kancerit.
Kjo ditë ka si synim të bashkojë popullatën në luftën kundër kancerit dhe të shmangë në këtë mënyrë miliona vdekje. Kjo mund të bëhet përmes rritjes së vetëdijshmërisë dhe edukimit mbi sëmundjen, duke shtyrë forcat qeveritare dhe individët që të ndërmarrin aksion. Kjo sëmundje e rëndë, e cila mund të shfaqet në pjesë të ndryshme të trupit, është përgjegjëse për miliona vdekje në botë. Në këtë datë, Organizata Botërore e Shëndetësisë publikon rekomandimet për mënyrën si mund të parandalohet kjo patologji. Në këtë datë, në raportet e saj të përvitshme, OKB publikon numrin e të sëmurëve, të të vdekurve dhe të atyre që i kanë shpëtuar sëmundjes së rëndë. Në këshillat e saj renditen një stil jete i kujdesshëm dhe kontrolle të herëpashershme.
Ka lloje të shumta të kancerit, kështu që ka ngjyra dhe simbole të ndryshme që përdoren për të shënuar një lloj specifik të kancerit dhe për të nxitur luftën kundër tij. Për shembull, fjongoja portokalli është për krijimin e vetëdijes për kancerin tek fëmijët, ndërsa shiriti rozë është e lidhur globalisht me ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit.



