
Komisioni për Sigurinë Kombëtare ka miratuar sot aktin normativ të qeverisë, i cili parashikon që afati i vlefshmërisë së pasaportave të shtetasve shqiptarë, që përfundon brenda vitit 2020, të zgjatet deri në datën 31 dhjetor 2020.
Prezantimi i aktit normativ në Komisionin e Sigurisë u bë nga zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, si edhe Agron Tare, zv.ministër për Europën dhe Punët e Jashtme.
Zv.ministrja Voda u shpreh se sot rezulton të regjistrohen 3 200-3 500 aplikime për pasaporta biometrike dhe miratimi i këtij akti normativ do të nxisë dhe uljen e fluksit, duke mënjanuar grumbullimet. Voda tha se akti normativ vjen për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, e cila solli një situatë të pazakontë dhe pezullimin e punës në një hark kohor prej thuajse mbi një muaj.
“Ky akt normativ propozohet me qëllim zgjidhjen e problematikave me të cilat ndeshen shtetasit shqiptarë, në kushtet e krijimit të situatës së jashtëzakonshme të shpallur nga Këshilli i Ministrave për shkak të epidemisë Covid-19. Në zbatim të vendimit sipërpërmendur, për të shmangur grumbullimet publike të shtetasve për marrjen e shërbimit në sportelet e gjendjes civile si dhe në zyrat e kompanisë Aleat për aplikim dhe marrje të pasaportës biometrike, u mbyllën të gjitha këto sportele/ shërbime deri në një urdhër të dytë. Në situatën e krijuar për shtetasit që nuk kanë mundësi për marrjen e shërbimit dhe për të shmangur numrin e madh të aplikantëve nëpër zyrat e aplikimit, masë kjo në kuadër të infeksionit të shkaktuar nga Covid-19, është propozuar që afati i vlefshmërisë së pasaportave të shtetasve shqiptarë, që përfundon brenda vitit 2020, zgjatet deri në datën 31.12.2020”,- tha Voda.
Ajo deklaroi se për moshat e treta të cilat nuk kanë mundësi të aplikojnë online, të shkojnë pranë sporteleve për të marrë shërbimin, ndërsa moshat e reja dhe ato të mesme janë këshilluar të bëjnë aplikimin online.
“Meraku për moshat e treta është i drejtë, pra për ata grup personash që nuk kanë fëmijët pranë, apo me aftësi të kufizuara me urdhër të posaçëm nga Kreu i Policisë së Shtetit është krijuar mundësia që jo patjetër të shkojnë tek e-albania, por të shkojnë në zyrat e shërbimit të qytetarëve për ta marrë direkt shërbimin, ose tek ALEAT. Këto persona nuk largohen pasi nuk kanë rezervuar orën e aplikimit online, për këto procedura vijon të jetë si më parë. Në rast të kundërt do ishim diskriminues ndaj kësaj kategorie”,- tha Voda.
Zv.ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Agron Tare, tha se ky akt normativ i vjen në ndihmë shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe që për shkak të pandemisë kanë mbetur të bllokuar dhe nuk kanë aplikuar për rinovimin e dokumenteve të tyre të identifikimit.
Ndër efektet e pritshme të këtij akti normativ është lehtësimi i ofrimit të shërbimit për nevoja të veçanta, riatdhesimi i shtetasve shqiptarë të mbetur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rikthimi i shtetasve shqiptarë rezidentë në një shtet tjetër.



