Sipas një sondazhi të fundit në rrjetet sociale është vënë re një trend sipas të cilit meshkujt në Shqipëri preferojnë të lidhen me gra të pjekura sesa me vajza të reja. Në studion e MCN Informacion, psikologet Nereida Llaha dhe Erisa Aliaj, si dhe studiuesja Alba Haruni diskutuan mbi këtë prirje të re.
Llaha tha se më shumë sesa seriozitetin, palët që përfshihen në marrëdhënie të tilla kërkojnë një oaz qetësie.
Studiuesja Alba Haruni tha se kjo vjen nga pasiguritë e meshkujve në moshë të re.
Ndërsa psikologia Erisa Aliaj tha se ata që përfshihen më shumë emocionalisht në këto lidhje janë meshkujt, të cilët në shumë raste janë në kërkim të mishërimit të figurës së nënës.
NEREIDA LLAHA - PSIKOLOGE
Kjo tashmë nuk është më një tabu. Ajo që unë dua të them është se nuk ka të bëjë shumë me interesat. Me ndryshimin e kohërave duket që gjinia mashkullore ka kaluar në avantazh në raport me vajzat sa i përket inteligjencës emocionale. Përvojat seksuale u japin më shumë vetëbesim.
Po thuhet tabuja. Ka ikur ajo fraza “lidhje për seriozisht”. Nuk mund t’i përcaktosh kushtet që në fillim të raportit. Tani fokusohen te e tashmja dhe ia lëmë të ardhmes. Kjo është ajo që po i bën më të lehta raportet. Tani sikur janë çliruar pak nga “zinxhirët” dhe komplekset.
Sot nuk dinë të flirtojnë. Hyjnë direkt në temë. Vajzat më të rritura janë sfidë. Mashkulli nxitet që të tregojë tiparet e veta të karakterit. Një djalë gjen emocionin aty.
Sot nuk kërkon njeri seriozitetin që në fillim, kërkojnë një oaz qetësie.
Është një përvojë që nuk zgjat shumë, por shënjon të dy palët. Vajza e ka më të lehtë për ta shkëputur
ALBA HARUNI - STUDIUESE
Në moshën time, romantizmi shprehej me gjëra të vogla. Lidhja me një vajzë më të madhe ishte e paragjykuar. Shkonin deri në ndarje nga familja, por hynin te sakrificat.
Dikur meshkujt piqeshin më herët për shkak të organizimit shoqëror. Një djalë që kthehej nga shtëpia i kërkohej të martohej. Mund të kishte 2-3 përvoja para martese, pastaj do të vendoste për lidhje. Im atë është martuar 25 vjeç, unë nuk mund ta mendoj djalin tim 25-vjeçar të martuar sot.
Mashkulli ka pasiguri sot, kështu që mendoj se për eksperienca qetësie shkojnë drejt grave të mëdha në moshë.
ERISA ALIAJ - PSIKOLOGE
Në një marrëdhënie është mashkulli ai që orienton. Nëse ne flasim për një marrëdhënie mes një vajze në moshë të madhe dhe një djali më të vogël se ajo, duket si një përgjegjësi për ta rritur.
Një vajzë të rritur mund t’i duhet afeksion emocional dhe seksual, ndërsa djali kërkon të gjitha ato që mund t’i ofrojë kjo vajza, plus përvojën e saj seksuale.
Gratë janë mjaftueshëm flirtuese sa meshkujt të mos e kuptojnë se po flirtojnë.
Mendoj se në këto marrëdhënie më të përfshirë emocionalisht janë djemtë. Ata janë në kërkim të mishërimit të nënës dhe këtu plotësohen. Ndërsa një vajzë e rritur i ka bërë shumë llogari në jetë dhe i ka nxjerrë disa mësime. Nëse ato nuk e gjejnë se çfarë duan, nuk bien kollaj në dashuri. Pra janë kalkulatore më të mira.



