Irani ka kritikuar ndalimin e aktivitetit të lëvizjes Hezbollah nga Gjermania, duke e paralajmëruar këtë të fundit se do të përballet me pasoja për vendimin e marrë.
Gjermania e quajti të enjten Hezbollahun një organizatë terroriste, ndërsa dhjetra policë dhe forca speciale mësynë në disa xhami dhe shoqata në të gjithë vendin për të arrestuar anëtarët e kësaj organizate.
Në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Jashtme e Iranit theksohej se ndalimi injoronte realitetin në Azinë Perëndimore.
Republika Islamike nënvizonte se vendimi i Gjermanisë bazohej në qëllimet e “makinërisë propogandistike të sionistëve dhe regjimit amerikan”.
Irani pasi e dënoi me forcë vendimin, deklaroi se Gjermania nuk respektoi qeverinë dhe kombin e Libanit, pasi Hezbollah është një pjesë formale dhe e ligjshme e qeverisë dhe parlamentit të vendit.
Shteti Islamik bëri me dije se grupi Hezbollah luan një rol kyç në luftën kundër terrorizmit në rajon.
“Qeveria gjermane duhet të përballet me pasojat për vendimin e saj, duke penguar luftën kundër grupeve terroriste në rajon”, citohet nga deklarata.
Grupi Hezbollah u krijua në vitin 1982 gjatë luftës civile në Liban dhe luftoi në vitin 2006 kundër Izraelit.
Irani është një mbështetës i madh i grupit shiit libanez, si dhe ndaj rezistencës së tij kundër Izraelit.
SHBA dhe Izraeli e kanë konsideruar prej kohësh Hezbollahun një grup terrorist dhe kanë kërkuar nga aleatët t’a konsiderojnë edhe ata të tillë.
Ashtu si Bashkimi Europian edhe Gjermania deri më tani kishte shpallur të paligjshëm vetëm krahun ushtarak të Hezbollahut, ndërsa kishte pranuar krahun e saj politik.



