Policia në Ekuador përgjatë javëve të fundit ka larguar nga banesat në qytetin Guayaquil, epiqendra e koronavirusit në vend, rreth 800 kufoma pasi virusi mposhti shërbimet e urgjencës, spitalet dhe agjencitë funerale.
Agjencitë funerale dhe punëtorët e morgut nuk ishin në gjendje për të përballuar një numër kaq të lartë viktimash, veçanërisht përballë qytetarëve që postonin video në rrjetet sociale, duke treguar kufoma njerëzish të hedhura në rrugë.
“Numri i viktimave që kemi mbledhur nëpër banesa ka tejkaluar 700”, tha Jorge Wated, i cili drejton një ekip policie dhe personeli ushtarak i organizuar nga qeveria për të ndihmuar në kaosin e krijuar në qytet për shkak të pandemisë Covid-19.
Pak më vonë, të dielën, përgjatë një postimi në Twitter, ai deklaronte se ekipi i përbashkët i punës, për tre javët e kaluara, kishte tërhequr nga banesat 771 viktima dhe 631 të tjera nga spitalet, morgu i të cilave është plot.
Wated nuk e specifikoi shkakun e vdekjes së tyre, por tha se 600 viktima tashmë janë varrosur nga autoritetet lokale.
Ekuadori ka regjistruar 7,500 raste me koronavirus që kur u konfirmua i infektuari i parë në vend me datë 29 shkurt.
Provinca bregdetare e Guayas ka regjistruar 70 përqind të të infektuarve në vend, me 4 mijë raste të konfirmuara vetëm në kryeqytetin Guayaquil.



