
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu zhvilloi një vizitë zyrtare në Greqi, ku u prit nga homologu grek Andreas Ksanthos. Dy ministrat firmosën në Athinë memorandumin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Takimi u zhvillua në spitalin Aghia Sofia të fondacionit “Elpida - Marianna V. Vardinoyanis”, ku u firmos një marrëveshje e rëndësishme për trajtimin e fëmijëve shqiptarë të diagnostikuar me leuçemi dhe tumore malinje, përmes binjakëzimit të spitalit Anghia Sofia dhe QSUT.
“Kjo marrëveshje krijon mundësinë për trajtimin në këtë spital të 6 fëmijëve shqiptarë në vit, të diagnostikuar me leucemi, që kanë nevojë për transplant të palcës ose raste të komplikuara që kanë nevojë për një trajtim më të specializuar”, tha ministrja Manastirliu.
Ndërsa presidentja e Fondacionit Elpida Marianna V. Vardinoyanis garantoi mbështetjen për fëmijët shqiptarë, për trajtimin falas në spitalin Aghia Sofia në Athinë.
“Me këtë marrëveshje hapin një erë të re bashkëpunimi mes Greqisë dhe Shqipërisë, duke përcjellë mesazhin te familjet këtej dhe andej kufirit se ka një shpresë për trajtimin e fëmijëve me kancer që kanë nevojë për transpalnt të palcës”, u shpreh presidentja Vardinoyanis.
Ministrja Manastirliu falenderoi homologun grek dhe Vardinoyanis, për mbështetjen e pakursyer për trajtimin e fëmijëve shqiptarë në spitalin Aghia Sofia.




