Presidenti amerikan Donald Trump duket se është tërhequr nga ideja që maskat mbrojtëse të fytyrës nuk duhen mbajtur me detyrim. Në një postim në Facebook, Trump tha se mbajtja e saj është një veprim patriotik.
“Jemi të bashkuar në përpjekjet për të mundur virusin e padukshëm kinez dhe shumë njerëz thonë se është patriotike të mbash maskë në fytyrë kur nuk ruan dot distancimin social. Nuk ka njeri më patriot se unë, presidenti juaj i preferuar!”, u shpreh Trump.
Para disa ditësh ai nuk dëshironte të vendoste maskë në publik, por gjatë një vizite në një spital u shfaq me maskë.
Në 24 orët e fundit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u regjistruan 56750 raste të reja me koronavirus, ndërsa numri i viktimave të raportuara është 372.
Në total, në SHBA janë konfirmuar 3 830 010 raste me Covid-19, ndërsa numri total i viktimave ka arritur 140 900.



