Përfaqësuesit e biznesit në Vlorë, kanë dalë sërish këtë të shtunë para komisariatit të Vlorës. Në formë proteste, ata shprehin pakënaqësitë e tyre përsa i përket fashës së orarit për mbajtjen hapur të lokaleve përgjatë vijës bregdetare.
Ata kanë zhvilluar një takim me shefin e komisariatit Vlorë, ku kanë biseduar për orarin e muzikës dhe të mbajtjes hapur të lokaleve. Ervin Sota, përfaqësues biznesi në Vlorë, është shprehur se ata do të qëndrojnë të palëkundur nga kërkesat e tyre që muzika të lejohet deri në orën 24 të mbrëmjes edhe orari i mbylljes së restoranteve dhe bareve të jetë deri në orët e para të mëngjesit.
Vetëm pak javë më parë, pronarët e bizneseve në Vlorë u ngritën në protesta, duke mbyllur aktivitetet e tyre përgjatë Lungomares në kulmin e sezonit turistik. Edhe pse Komiteti Teknik i Ekspertëve zgjati me një orë orarin e lejuar të muzikës, ky vendim nuk i kënaqi pronarët e bizneseve, duke kërkuar shtyrjen e këtij orari edhe me një orë.



