QSUT-ja do të ketë Depon Qendrore të Barnave. Një investim i buxhetit të shtetit në vlerën 1.7 milionë euro, struktura e re është e pajisur me aparatura të teknologjisë bashkëkohore për ruajtjen dhe sigurinë e barnave për qytetarët.
E ndërtuar në një sipërfaqe mbi 2600 metër katror, depoja e re barnave ka 7 dhoma frigoriferike për ruajtjen dhe magazinimin e barnave dhe materialeve të mjekimit.
Gjatë inspektimit të këtij investimi, ministrja Manastirliu tha se ajo është në eficiencë të plotë.
“Depoja farmaceutike e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është një investim i buxhetit të shtetit në vlerën 1.7 milion euro. Tashmë është një strukturë e përfunduar, është në efiçiencë të plotë. Aktualisht janë vendosur të gjithë barnat dhe pajisjet mjekësore dhe janë të gjithë parametrat europiane të ruajtjes dhe sigurisë së barnave. Në QSUT s’ka pasur asnjëherë një depo për barnat. Kur është realizuar ky projekt kemi pasur dhe ekspertizë ndërkombetare”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu theksoi se buxheti për barnat është më shumë se 40 milion euro dhe janë siguruar të gjitha terapitë bazë të mjekimit si dhe është rritur dhe numri i terapive të targetuara.
“Buxheti për barnat në të gjithë spitalet e vendit është rritur. Aktualisht më shumë se 40 milion euro është volumi i barnave dhe materialeve mjekësore që qarkullojnë në të gjithë spitalet tona. QSUT ka 50 % të këtij fondi, me të cilat çdo vit financohen barnat dhe materialet mjekësore”, tha Manastirliu.



