Brixhilda Muça, drejtuese e Qendrës “Lumturo dhimbjen”, rrëfeu në studion e MCN Informacion sfidat e trajtimit të fëmijëve me autizëm. Muça tha se qendra që ajo drejton trajton 12 adoleshentë.
Problemi është te donacionet. Shërbimi është falas, por terapistët duhen paguar. Deri tani kemi siguruar donacionet për katër terapistë. Por shërbimin e marrin vetëm 12 fëmijë. Nuk mund të përballohet më shumë. Jeta me një adoleshent autik është shumë e ndërlikuar.
Presin shumë njerëz, kemi 121 kërkesa të regjistruara. Kam telefonata nga rrethet, nga Kosova, nga Maqedonia, nga shqiptarët e Greqisë.
Në qendër tani për momentin ndjekim fëmijë të prekur nga forma më e rëndë e autizmit.
Muça tha se shoqëria nuk ka ende ndërgjegjësimin e duhur për personat e prekur nga çrregullime të spektrit autik.
Në spitale ka probleme edhe me të kuptuarin si duhet trajtuar një person me autizëm. Në universitete studiohet vetëm një faqe për autizmin.
Muça, vetë nënë e një djali autik, tha se vetëm puna sistematike mund të sjellë rezultate.
Qendra ka dy vite e gjysmë e hapur. Filloi me pesë të rinj. Tani kemi dymbëdhjetë. Ne kemi ndryshuar disa sjellje tek ata, të cilat i kanë gjeneralizuar në shtëpi. Këta janë hapa suksesi.
Djali im ka marrë terapi por ka bërë regres për shkak të tumorit në kokë. Mua më është dashur të punoj në mënyrë sistematike. Kam gjetur mënyrat që im bir të bëjë disa gjëra që shkojnë jashtë shkencës. Ai ka të dëmtuar nervin e dëgjimit dhe nuk dëgjon, por unë e kam mësuar të thotë pesë fjalë. E kam dëgjuar të më thotë nënë.
Muça tha se ka baballarë që i braktisin nënat në sfidën me autizmin, por ka edhe prindër VIP që e fshehin kur kanë një fëmijë të prekur nga këto çrregullime.
Ka baballarë që i braktisin këta fëmijë, që fajësojnë gratë. Detyrohen nënat të dalin të kërkojnë ndihmë. Nuk dorëzohen. Problem janë personat VIP. Ata i izolojnë. I quajnë rënie e reputacionit.
Ka personazhe të njohura që e thërret fëmija në rrugë mami dhe nuk e kthen kokën se nuk do të merret vesh që është fëmija i tij. Është një opinion jo i shëndetshëm.



