
Portretet e 99 grave të suksesshme të Kosovës janë vendosur në monumentin Newborn, në Prishtinë. Shtatë shkronjat u mbuluan me posterë, ku shihen gratë të cilat kanë shënuar suksese të mëdha në karrierën e tyre.
Ky instalacion i krijuar nga gazetarja, Lauren Peace, me titull "Rimarrje" apo "Reclamation" paraqet gra të suksesshme nëpër fusha të ndryshme.
Në mesin e grave që janë vendosur në këta posterë, ka sportiste, artiste, politikane, gazetare, shkrimtare etj.

Aty shihet fytyra e ish-presidentes Atifete Jahjaga, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, regjisorja Lindita Zeqiri, alpinistja Uta Ibrahimi, shkrimtarja Ilire Zajmi dhe shumë gra e vajza të tjera të suksesshme.
Instalacioni me fytyrat e 99 grave të Kosovës do të qëndrojë në këtë hapësirë deri më 14 qershor.



