Pogradeci e ka të hershme traditën e përdorimit të biçikletave. Nga qendra e Qytetit liqenor në drejtim të Tushemishtit sidomos gjatë verës janë të shumtë pedaluesit e çdo grupmoshe që shijojnë ajrin e pastër dhe peizazhin që zor se mund ta gjesh diku tjetër.
Por Bashkia e Pogradecit dhe një grup të rinjsh synojnë që përdorimi i biçikletave të ketë përdorim më të gjerë sidomos tek brezi i ri ndaj dhe organizuan një aktivitet të veçantë.
“Në kuadër të kalendarit "100 ditët e Verës", kemi zgjedhur të pedalojmë me të rinjtë për një qytet më të pastër. Ky aktivitet është organizuar nga qendra rinore Pogradec. Ne besojmë se është e rëndësishme kjo traditë pasi duke ditur që liqeni Ohrit është një nga zonat e mbrojtura të UNESCO, dhe me shëtitjet me biçikletë mbajmë pastër ajrin dhe nuk e ndotim atë”.
Këtë verë Pogradeci synon të jetë një prej qyteteve më të frekuentuara ndaj ka vendosur të organizojë aktivitete çdo ditë.
Jo vetëm buzë liqenit apo përmes sporteve ujore, por edhe në atraksionet malore çka vjen si një pakete e larmishme për çdo turist që zgjedh të pushojë buzë liqenit të Ohrit.



